Seminari kombëtar mbi “Financimin e institucioneve të arsimit të lartë në kuadër të ligjit të ri të të arsimit të lartë”

Zyra Kombëtare Erasmus+ në bashkëpunim me ekspertët Erasmus+ për reformat e arsimit të lartë (HERE) zhvilloi më datë 20 Nëntor 2015, në ambientet e  Universitetit “Fan Noli” të Korçës, seminarin kombëtar me temë “Financimi i institucioneve të arsimit të lartë në kuadër të ligjit të ri të arsimit të lartë”.

Ky aktivitet mblodhi së bashku anëtarët e stafeve akademike nga  IAL-të e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, anëtarë të Komisionit Kombëtar për Reformën e Arsimit të Lartë, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Gjatë seminarit, lektorët e ftuar trajtuan dhe diskutuan  çështje të ndryshme të menaxhimit financiar të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, duke përfshirë skemën aktuale të financimit dhe skemën e financimit të parashikuar nga ligjit i ri i Arsimit të Lartë. Në vijim, Prof. Enora Pruvot i njohu të pranishmit me skemat e financimit bazuar në performancë dhe modele të suksesshme të zbatimit të tyre në vende të ndryshme. Në mbyllje, përfundimet e seminarit u mblodhën në një dokument të përbashkët që do t’i përcillet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe institucioneve shtetërore përkatëse.

Zhvillohet vizita monitoruese për Projektin Tempus RINGIDEA.

Stafi i ZKE+ në bashkëpunim me  Agjencinë e Programit Tempus në Bruksel, EACEA, ndërmori më 12 Nëntor 2015, vizitën monitoruese për projektin Tempus RINGIDEA. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, më 12 Nëntor 2015. 

Projekti 3 vjeçar “Zhvillimi i Literaturës të Informacionit dhe njohurive në vendet e Ballkanit Perëndimor” mbështet zhvillimin e programeve të literaturës së informacionit për përdorimin e tyre në kurrikulat universitare dhe programet e mësimit gjatë gjithë jetës dhe shtyrjen përpara të procesit të Bolonjës për Europën e Njohurive.

Projekti koordinohet  nga Instituti i Teknologjisë në Limerick të Irlandës dhe përfshin 12 institucione  të arsimit të lartë në Rumani, Greqi, Britani e Madhe, Shqipëri, Bosnjë & Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Për më tepër informacion: http://www.ringidea.org/

Zhvillohet vizita monitoruese për Projektin Tempus ENCHASE.

Stafi i ZKE+ në bashkëpunim me  Agjencinë e Programit Tempus në Bruksel, EACEA, ndërmori vizitën monitoruese për projektin Tempus ENCHASE Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, më 12 Nëntor 2015. 

Projekti 3 vjeçar “‘Përforcimi i sistemit të sigurimit të cilësisë së brendshme në arsimin e lartë në Shqipëri: Aplikimi i metodologjisë të bazuar kah procesit dhe rezultateve (ENCHASE)”, mbështet zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të sigurimit të cilësisë së brendshme në universitetet shqiptare përmes përforcimit të kuadrit kombëtar të sigurimit të cilësisë sipas standardeve europiane të arsimit të lartë.

Projekti koordinohet  nga Universiteti Koblenz-Landau në Gjermani dhe përfshin 11 institucione partnere nga  Gjermania, Italia, Cekia, Franca dhe Shqipëria.

Për më tepër : http://enchase.uni-koblenz.de