Zhvillohet tryeza e rrumbullakët me temë “Si të nxisim pjesëmarrjen e IAL-ve shqiptare në programet Erasmus+ dhe Horizon 2020”

Zyra Kombëtare Erasmus + në bashkëpunim me Agjencinë për Kërkim, Teknologjinë dhe Inovacionin dhe Asistencën Teknike për Programet e Evropiane në Shqipëri zhvilluan ditën e enjte, më datë 26 Maj 2016, tek Hotel Tirana International, tryezën e rrumbullakët me temë “Si të nxisim pjesëmarrjen e IAL-ve shqiptare në programet Erasmus+ / Horizon 2020”.

Para fillimit të punimeve të tryezës së rrumbullaket, Znj. Belen Enciso, oficere programi pranë Agjencisë Ekzekutive në Bruksel, EACEA zhvilloi një takim pune me grupin e ekspertëve për reformën e arsimit të lartë HERE.

Tryeza e rrumbullakët zgjoi interes të lartë dhe mblodhi së bashku rreth 100 përfaqësues të institucioneve shtetërore që mbulojnë arsimin e lartë në vend, shoqërisë civile, grupit të ekspertëve për reformën e arsimit të lartë HERE, si dhe drejtues, pedagoge, dhe punonjës të zyrave të marrëdhënieve me jashtë të universiteteve publike dhe private të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, dhe Durrësit. Punimet e këtij aktiviteti u përshëndetën nga Z. Redi Shtino, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit dhe Znj. Belen Enciso, oficere programi pranë Agjencisë Ekzekutive në Bruksel, EACEA.

Gjatë punimeve të tryezës, pjesëmarrësit të ndarë në grupe pune evidentuan pengesat e sotme kryesore që frenojnë pjesëmarrjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë në programet Erasmus + dhe Horizon 2020 dhe përgatitën një sërë propozimesh për përmirësimin e kësaj situate.

Në përmbyllje të aktivitetit, përfundimet e nxjerra do të përmblidhen në një dokument final me rekomandime që do t’i përcillen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për t’u mbajtur në vëmendje gjatë përgatitjes së akteve nën ligjore të ligjit “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”. 

 

Agjenda e aktivitetit :   

Zhvillohet vizita monitoruese për Projektin Erasmus+ “Shërbimet Mbështetëse për Rretin e Librarive”.

Stafi i ZKE+ në bashkëpunim me  Agjencinë Ekzekutive në Bruksel, EACEA, ndërmori më 25 Maj 2016, vizitën monitoruese për projektin Erasmus + “Shërbimet Mbështetëse për Rrjetin e Librarive”. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 

Projekti Erasmus + për ngritjen e kapaciteteve në arsim të lartë “Shërbimet Mbështetëse për Rrjetin e Librarive”  mbështet modernizimin e librarive në universitetet partnere nëpërmjet trajnimit të stafeve dhe reformimit të shërbimeve të tyre.

Projekti koordinohet  nga Instituti i Teknologjisë në Limerik të Irlandës dhe përfshin 12 institucione partnere nga Rumania, Gjermania, Irlanda, Britania e Madhe, Shqipëria, Bosnja & Hercegovina, Mali i  Zi dhe Kosova.

Zhvillohet vizita monitoruese për Projektin Tempus “Fuqizimi i universiteteve për të përmbushur përgjegjësitë e veta për sigurimin e cilësisë – EUREQA”.

Stafi i ZKE+ në bashkëpunim me Agjencinë e Programit Tempus në Bruksel, EACEA, ndërmori më 24 Maj 2016, vizitën monitoruese për projektin Tempus EUREQA. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës. 

Projekti 3 vjeçar EUREQA (2012-2015), ka mbështetur Universitetin e Tiranës, Universitetin “Fan Noli” të Korçës dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme institucionale për sigurimin e brendshëm të cilësisë dhe kualifikimit të stafit përmes trajnimeve, mentorimit dhe vizitave studimore.

Projekti koordinohet  nga Rrjeti i Universiteteve Evropiane në Belgjikë dhe përfshin 17 institucione partnere në Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Austri, Finlandë, Portugali, Irlandë, Slloveni, Shqipëri, Bosnjë & Hercegovinë  dhe Kosovë.

Për më tepër informacion: http://www.eureqa-tempus.eu/

Zhvillohet “Takimi informues mbi Programin Erasmus+ më 24 Maj, 2016

Takimi informues mbi Programin Erasmus + u mbajt më datë 24 Maj 2016, në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai zgjoi interesin dhe tërhoqi pjesëmarrjen e shumtë të stafeve akademike, stafeve administrative dhe studentëve të këtij universiteti.

Ky aktivitet i njohu më mirë të pranishmit me mundësitë që programi Erasmus+ ofron për universitetet dhe studentët shqiptarë. Në këtë kuadër, Znj. Belen Enciso, oficere programi në Agjencinë Ekzekutive në Bruksel dhe Znj. Edit Dibra  Kordinatore e Zyrës Erasmus + në Shqipëri prezantuan komponentët kyç të programit si:   

– Rritjen e kapaciteteve në Arsimin e Lartë (KA 2 Capacity Building in Higher Education);

-Shkëmbimet afatshkurtra për stafet dhe studentët (KA1 International credit mobility);

-Jean Monnet;

Gjithashtu, anëtarët e tjerë të Zyrës Kombëtare Erasmus + informuan studentët mbi mundësitë për bursë në kuadër të masterave të përbashkët dhe partneritet Erasmus Mundus.

Takimi ishte veçanërisht i vlefshëm për të njohur pjesëmarrësit mbi disa prej elementëve kyç në përgatitjen e projekt-propozimeve të suksesshme në Erasmus + dhe për sqarimin e paqartësive dhe pyetjeve të tyre.

Zhvillohet vizita monitoruese për Projektin Tempus DEREL.

Stafi i ZKE+ ndërmori vizitën monitoruese për projektin DEREL. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, në Universitetin Politeknik të Tiranës, më datë 13 Maj, 2016.

Projekti Tempus DEREL ka mbështetur ngritjen e një programi master shkencor në Gjeo-Mjedis, pranë UPT-së. Projekti është përgatitur nga Universiteti i Firences në Itali, në bashkëpunim me 17 institucione partnere nga Spanja, Italia, Austria, Gjermania, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria.