Zhvillohet trajnimi “Si të përgatisim një projekt-propozim të sukseshëm në Erasmus+” më 27 Tetor, 2016.

Zyra Kombëtare Erasmus + në bashkëpunim me Agjencisë Ekzekutive të Komisionit Evropian në Bruksel zhvilluan më datë 27 Tetor 2016, në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës trajnimin me temë “Si të përgatisim një projekt-propozim të suksesshëm në komponentin për forcimin e kapaciteteve në Arsimin e Lartë të programit Erasmus +”. Ky aktivitet synonte ti vinte në ndihmë pjesëtarëve të grupeve të punës të ngritura në universitete publike në vend për Erasmus +, në procesin e tyre të aplikimit për thirrjen për propozime të hapur rishtazi nga Komisioni Europian për këtë komponent të programit.

Znj. Anila Trashani, drejtore për komponentin e Erasmus + “Forcimi i kapaciteteve në Arsimin e Lartë”, pranë Agjencisë Ekzekutive të Komisionit Evropian në Bruksel, njohu të pranishmit me rregullat dhe elementët kyç për shkrimin e një projekt-propozimi të mirë në komponentin për forcimin e kapaciteteve. Gjithashtu, në aktivitet u trajtuan rastet studimore të dy projekt propozimeve Tempus/Erasmus +, njëri i suksesshëm dhe tjetri i pa suksesshëm,  ku aplikantët shqiptar ndanë përvojën e tyre dhe bënë udhëzime praktike për të pranishmit. Aktiviteti u mbështet dhe nga Programi i Mbështetjes Teknike për Programet Komunitare në Shqipëri, nëpërmjet mundësimit të një trajnimi mbi përgatitjen e matricës së kuadrit logjik të një projekti.