Thirrjet e reja për propozime janë publikuar më 20/10/2016 në faqen e internetit të Komisionit Evropian:

http://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/discover/guide/index_en.htm

Institucionet e Arsimit të Lartë mund të aplikojnë në katër komponentë të programit Erasmus +: Shkëmbimet afatshkurtra për stafet dhe studentët masterat e përbashkët, forcimin e kapaciteteve në arsimin e lartë dhe Jean Monnet.

SHKËMBIMET AFATSHKURTRA PËR STAFET DHE STUDENTËT (CREDIT MOBILITY).  AFATI I FUNDIT PËR APLIKIM DATA 02 SHKURT 2017

Universitetet shqiptare duhet të lidhin marrëveshje ndërinstitucionale, të cilat përfshijnë shkëmbime studentësh dhe stafesh me universitetet e BE-së. Në vijim universiteti europian do të bëjë aplikimin për miratimin e programit të shkëmbimeve pranë Agjencisë Kombëtare për Erasmus +, të vendit të tyre. Institucionet shiptare të arsimit të lartë do të përfshihen vetëm në rolin e partnerit në marrëveshjen e shkëmbimeve që universiteti europian do të aplikojë pranë Agjencisë së tij Kombëtare për Erasmus +.

– Për më tepër informacion, vizitoni:

Guidën e Programit Erasmus + dhe Thirrjen e Përgjithshme për propozime 2017:

http://ec.europa.eu/education/opportunities/international-cooperation/documents/mobility-faqs_en.pdf

Prezantimin e Ditës Informative Erasmus+ :International Credit Mobility

MASTERAT E PËRBASHKËT (JOINT MASTER DEGREE) AFATI I FUNDIT PËR APLIKIM DATA 16 SHKURT 2017

Aktualisht, thirrja është hapur vetëm për krijimin e konsorciumeve që ofrojnë Joint Master Degree. Konsorciumet që ofrojnë Joint Master Degree mund të koordinohen vetëm nga universitetet e BE-së. Universitetet e vendeve Partnere si Shqipëria, mund të aplikojnë si partnerë dhe do të pranohen vetëm nëse përfaqësojnë një vlerë të shtuar në konsorcium. Preferohen të aplikojnë si partnerë universitete që ofrojnë kurrikula të nivelit Master në gjuhën angleze.

Për më tepër informacion, vizitoni:

Thirrjen 2017 për Masterat e Përbashkët Erasmus Mundus:

https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/funding/key-action-1-erasmus-mundus-joint-master-degrees-0_en

Prezantimin e Ditës Informative Erasmus+ : Erasmus Mundus Joint Masters Degree

PROJEKTET “FORCIMI I KAPACITETEVE NË ARSIMIN E LARTË” OSE ISH-TEMPUS, PËRFSHIRË KOMPONENTIN SPECIAL PËR MOBILITETE, AFATI I FUNDIT ËSHTË 9 SHKURT, 2017

Projektet për ‘Forcimin e kapaciteteve” janë pasardhësit e projekteve Tempus. Të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, publike dhe private, të njohura nga shteti mund të aplikojnë në projektet për ‘Rritjen e kapaciteteve” si aplikant (koordinator) ose si partner. Këto projekte I mundësojnë universiteteve shqiptare të modernizojnë metodat e mësimdhënies, të krijojnë programe të reja studimi ose të përmirësojnë programet ekzistuese duke i harmonizuar me ato të vendeve të zhvilluara të BE-së, të trajnojnë stafet akademike, të përmirësojnë laboratorët, të krijojnë ose të përmirësojnë shërbimet për studentët, për sigurimin e brendshëm të cilësisë, etj.

Projektet CBHE ndahen në: Projekte të përbashkëta (Joint projects) që synojnë të ndikojnë në nivel institucioni dhe Projekte Strukturore (Structural projects) që synojnë të ndikojnë në politikat dhe reformat e arsimit të lartë. Ministria e Arsimit dhe Sportit është partner i detyrueshëm në Projektet strukturore.

Ndryshe nga Tempus-i,  projektet për “Forcimin e kapaciteteve përmbajnë një komponent shkëmbimesh për Shqipërinë (për studentët 3-12 muaj, praktika 2-12 muaj, për stafin akademik dhe administrativ 5 ditë deri në 2 muaj). Gama e vendeve me të cilat IAL-të shqiptare mund të lidhin partneritete në kuadër të “Ngritjes së kapaciteteve” rritet nga 55 shtete në Tempus në 150 shtete në Erasmus+.

Për më tepër informacion, vizitoni:

Thirrjen 2017 në “Forcimin e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE)”:

https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/funding/capacity-building-in-field-higher-education-2017_en

Prioritetet kombëtare dhe rajonale dhe shpërndarjen buxhetore për thirrjen 2016 në CBHE:

CBHE budget allocation and regional and national priorities.

Prezantimin e Ditës Informative Erasmus +: Erasmus + CBHE Call 2017

* Brenda prioriteteve kombëtare në CBHE, vëmendje e veçantë do ti kushtohet propozimeve që mbështesin  “Rritjen e kapaciteteve për qeverisjen, planifikimin strategjik dhe menaxhimin financiar në universitete”. Asnjë projekt tempus nuk mbështet apo ka mbështetur këtë prioritet

*Për të rritur efiçencën në gjetjen e partnerëve për aplikime në projektet “Forcimi i Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE)”, ju duhet të:

– Kontrolloni listën e projekteve fituese në thirrjet e mëparshme të Tempus-it dhe CBHE dhe identifikoni universitetet partnere që kanë zbatuar projekte me objektiva të njëjtë apo fushë ndërhyrjeje të ngjashme. Më pas, duhet të ngrini komunikimin me partnerët e identifikuar për bashkëpunim në thirrjen e ardhshme CBHE.

http://eacea.ec.europa.eu/tempus/results_compendia/results_en.php

https://eacea.ec.europa.eu/sites/eacea-site/files/cbhe_2016_results_by_region.pdf

Plotësoni “Formularin për Gjetje Partnerësh në Erasmus +”, të përgatitur nga Zyra Kombëtare Erasmus +, në përputhje me thirrjen Erasmus + ky synoni të aplikoni dhe idesë së projektit tuaj. Dërgoni formularin e plotësuar në adresën e email-it: albania@erasmusplus.al, për t’u shpërndarë tek universitetet europiane  nëpërmjet rrjetit të zyrave Erasmus +.

 Erasmus+ Partner Search form for Albanian HEIs

 

PROJEKTET JEAN MONNET. AFATI I FUNDIT 23 SHKURT 2017

Ky program mbështet thellimin e njohurive rreth çështjeve të Integrimit Evropian, promovon  mësimdhënien dhe kërkimin   për historinë, politikat, ekonominë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Aplikimi në programin Jean Monnet është i hapur për të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjitha disiplinat që kanë pikë-prerje me fushën e Integrimit Evropian. Ky aplikim ka një procedurë të thjeshtë dhe bëhet në bazë institucioni. Ai nuk kërkon detyrimisht krijimin e partneriteve me IAL –të tjera. Universitetet shqiptare mund të aplikojnë për Modulet Jean Monnet (bëhet fjalë për kurse afatshkurtra në fushën e Integrimit Evropian me një minimum prej 40 orësh mësimi për një vit akademik), për Poste Lektorësh Jean Monnet (Bëhet fjalë për poste lektorësh  të specializuar në  fushën e studimeve të  Integrimit Evropian me një minimum prej 90 orë mësimi për një vit akademik) ose për Projektet Jean Monnet (aktivitete promovimi për problematikat e Integrimit Evropian, programe trajnimi, etj.)

Për më shumë vizitoni:

Guidën e Programit Erasmus + dhe Thirrjen e Përgjithshme për propozime 2017:

https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/funding/jean-monnet-activities-2017_en

 

Prezantimin e Ditës Informative Erasmus +: Jean Monnet Activities in Erasmus+

Shembuj të projekteve të përzgjedhura në Jean Monnet: Jean Monnet projects