MUNDËSITË PËR STUDENTËT DHE STAFET NË ERASMUS +

October 1, 2015

MUNDËSITË PËR STUDENTËT DHE STAFET NË ERASMUS +

Programi Erasmus + i ofron çdo individi shqiptar (student, pedagog apo staf administrativ) mundësinë e përfitimit nga aktivitetet e mëposhtme:

 

 KEY ACTION 1 (KA1) “NXITJA E SHKËMBIMEVE PËR INDIVIDËT”

 

KA1 “SHKËMBIMET AFATSHKURTRA PËR STAFET DHE STUDENTËT” (INTERNATIONAL CREDIT MOBILITY)

Nëse universiteti ku studioni ose punoni është përzgjedhur fitues në një projekt dypalësh në kuadër të komponentit International Credit Mobility, studentët, pedagogët dhe  stafi administrativ mund të aplikojnë për shkëmbime afatshkurtra, përkatësisht nga 3 deri në 12 muaj për studentët në Bachelor, Master, PhD dhe 5 ditë deri në 2 muaj për stafet akademike dhe administrative. Kriteret gjuhësore (gjuha dhe niveli i kërkuar) janë përcaktuar në marrëveshjen ndër-institucionale midis dy universiteteve.

SI VEPRON STUDENTI /STAFI?

Individët duhet të kontaktojnë zyrat e marrëdhënieve me jashtë dhe projekteve pranë universitetit për të mësuar nëse ekziston një projekt shkëmbimesh Erasmus+. Ata duhet të informohen për hapjen e aplikimeve individuale, kriteret e përzgjedhjes, afatet e aplikimit, etj.

Një student duhet të dijë që:

Kriteret e përzgjedhjes për studentët dhe stafet negociohen midis institucionit dërgues dhe atij pritës. Ato duhen bërë publike me hapjen e aplikimeve dhe të shpërndahen në një shkallë sa më të gjerë.

Njohja e periudhës së studimit është kusht i detyruar midis institucionit pritës dhe atij dërgues. Institucioni pritës është i detyruar të pajisë studentin dhe institucionin dërgues  me listën  e notave. Institucioni dërgues  duhet të njohë plotësisht modulet që studenti ka kryer gjatë shkëmbimit dhe t’ia regjistrojë ato në listën e notave.  Për këtë arsye, studenti plotëson “Marrëveshjen për kryerjen e studimeve” (Learning Agreement for studies).

Erasmus+ HE Learning Agreement for studies

Marrëveshja për kryerjen e studimeve plotësohet nga studenti para mobilitetit, bazuar në modulet që ai zgjedh të kryejë në universitetin pritës (tabela A). Këto module janë paraqitur në katalogun e vënë në dispozicion nga universiteti pritës. Gjithashtu studenti plotëson tabelën B me modulet përkuese në universitetin dërgues, të cilat do t’i njihen pas periudhës së shkëmbimit.

Marrëveshja nënshkruhet nga studenti, personi përgjegjës në universitetin dërgues dhe personi përgjegjës në universitetin pritës.

Stafi

Stafi (akademik ose administrativ) në varësi të qëllimit të shkëmbimit  plotëson:

Marrëveshjen e shkëmbimit për mësimdhënie (Staff  mobility for teaching agreement);

Erasmus+ HE Staff Mobility Agreement for teaching

Marrëveshjen e shkëmbimit për trajnim (Staff mobility for Training  agreement);

Erasmus+ HE Staff Mobility Agreement for training

 

Marrëveshja e pjesëmarrjes (The participant grant agreement)

 

Përveç marrëveshjeve të mësipërme, studentët dhe stafet nënshkruajnë gjithashtu edhe “Marrëveshjen e pjesëmarrjes” (The participant grant agreement), e cila përcakton kushtet e mbështetjes financiare dhe modalitetet e pagesës. Ky dokument nënshkruhet midis individit dhe institucionit në Vendin e Programit para fillimit të shkëmbimit.

 

Për më tepër informacion, duhet të kontaktoni zyrat e marrëdhënieve me jashtë dhe projekteve pranë universitetit tuaj.

 

KA 1 SHKËMBIMET PËR MASTERA DHE DOKTORATA TË PËRBASHKËTA (Degree Mobility) në Erasmus Mundus dhe Erasmus+;

INDIVIDËT

Aplikimet për master apo doktoratë

Ky komponent mundëson kryerjen e një programi master apo doktoratë, vetëm me kohë të plotë,  në dy ose më shumë universitete evropiane me bursë Erasmus+. Një kusht i domosdoshëm për të aplikuar është njohja e gjuhës angleze dhe mbrojtja me një nga testet e njohura në rang ndërkombëtar si TOEFL ose IELTS-i. Diploma që lëshohet në fund të studimeve është diplomë e përbashkët që njihet nga të gjitha universitetet evropiane.  Aplikimet për Master ose PhD zakonisht hapen në muajin tetor dhe qëndrojnë të hapura deri në muajin dhjetor të çdo viti. Në disa raste, mund të kenë afat deri në muajin janar të vitit pasardhës.

Bursat Erasmus+ mbulojnë të gjitha shpenzimet, përfshirë transportin, qëndrimin, pagesën e regjistrimit, sigurimin e jetës, kostot e vizës, etj.

Për listën e plotë të Erasmus Mundus Action 1, referohuni lidhjeve të mëposhtme:

Për listën e plotë të Masterave të përbashkët:

http://eacea.ec.europa.eu/erasmus_mundus/results_compendia/selected_projects_action_1_master_courses_en.php

Për listën e plotë të Doktoratave të përbashkëta:

http://eacea.ec.europa.eu/erasmus_mundus/results_compendia/selected_projects_action_1_joint_doctorates_en.php

Vini re

Aplikimet për PhD do të jenë të mundura deri në vitin 2017. Si rregull aplikimet për doktoratë, post doktoratë ose grante për kërkim shkencor do të mundësohen nëpërmjet komponentit Maria Sklodowska Curie, të programit ‘Horizon 2020 Framework Programme for Research and Innovation’.

Për më tepër informacion, vizitoni linkun: http://ec.europa.eu/research/mariecurieactions/

Si bëhet aplikimi?

–Si fillim, brenda listës së masterave dhe doktoratave të ofruara, identifikoni ato programe që përshtaten më tepër me studimet që keni kryer ose janë të një fushe të përafërt.

-Shqyrtoni informacionin e dhënë tek faqja e internetit e masterit/doktoratës që keni zgjedhur. Shikoni me vëmendje udhëzimet për aplikimin, kriteret,  afatin e fundit, kërkesat gjuhësore dhe dokumentet e tjera që mund të nevojiten  për dosjen e aplikimit. Çdo master/doktoratë ka kritere dhe afatet specifike.

-Dokumentet që kërkohen përgjithësisht përfshijnë: një letër motivimi; diplomën dhe listën e notave; dëshminë e gjuhës angleze të mbrojtur me IELTS ose TOEFL, dy letra rekomandimi, dokumentin e identifikimit. Në rastin e PhD, mund të kërkohet një përshkrim i shkurtër i projektit shkencor që do të bëni.

Në faqen e internetit të çdo Master-i ose Doktorate do të merrni informacion më të detajuar për kriterin gjuhësor, numrin e pikëve të kërkuara,  rastet kur studimet e mëparshme janë kryer në këtë gjuhë etj.

-Sigurohuni që dokumentet e kërkuara të jenë të përkthyera në Anglisht dhe të noterizuara (në rast se nuk parashikohet në gjuhë tjetër).

-Aplikimi juaj bëhet VETËM online nëpërmjet website-it të masterit/doktoratës.

*Mund të aplikoni paralelisht, në 3 programe të ndryshme studimi, brenda të njëjtit nivel (dmth 3 Master-a ose 3 Doktorata të ndryshme.) Nëse jeni fitues në 2 prej tyre, do të ndiqni vetëm njërin.

-Tregoni kujdes të respektoni afatin e fundit të aplikimit, pasi asnjë aplikim nuk do të jetë i vlefshëm po kaloi afati.

Aplikimet për shkëmbimet afatshkurtra

Një student shqiptar mund të aplikojë, gjithashtu, për periudha të shkurtra studimi nëpërmjet:

Programeve të shkëmbimeve afatshkurtra (Partneritetet EM)

Këto programe i ofrojnë çdo studenti, pedagogu apo të punësuari në Institucionet e Arsimit të Lartë  mundësinë e shkëmbimeve akademike afatshkurtra në një mori universitetesh evropiane. Aktualisht, kjo  mundësi përfitohet duke aplikuar në katër partneritetet Erasmus Mundus, për periudhën përkatëse të shkëmbimit.

TECH-WB-  Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Fan Noli” Korçë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.

Kohëzgjatje e shkëmbimit:

  • Bachelor : 1 semestër deri në 1 vit akademik;
  • Master : 1 semestër deri në 2 vite akademikë;
  • PhD : 6 muaj deri në 34 muaj;
  • Postdoc : 6 muaj deri në 10 muaj;
  • Staf administrativ  1 muaj;

Disiplinat kryesore akademike në TECH-WB: TIK, inxhinieria dhe energjetika, mbrojtja e mjedisit, bujqësia, minierat, drejtësia, administrim biznesi, administrimi publik, marrëdhënie ndërkombëtare,  turizmi dhe trashëgimia kulturore, gjuhët e huaja)

Link: http://green-tech-wb.uvigo.es/

SUNBEAM–  Partnerët Shqiptarë: Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Elbasanit.

Kohëzgjatje e shkëmbimit:

  • Bachelor : 1 semestër deri në 10 muaj;
  • Master : 1 semestër deri në 2 vite akademikë;
  • PhD : 6 deri në 36 muaj;
  • Postdoc : 6 deri në 10 muaj;
  • Stafi akademik dhe administrativ:  1-3 muaj;

Disiplinat kryesore akademike : shkencat bujqësore, arkitektura dhe planifikimi hapësinor, art dhe dizajn, biznes dhe menaxhim, gjeologji dhe gjeografi, shkenca humane, gjuhësi, drejtësi, informatike dhe matematike, shkenca natyrore, shkenca shoqërore, TIK

Link: http://www.sunbeam.univpm.it/

EUROWEB – Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.

Kohëzgjatje e shkëmbimit:

  • Bachelor : 10 muaj;
  • Master : 10 ose 20 muaj;
  • PhD : 18 deri në 34 muaj;
  • Postdoc: 10 muaj;
  • Stafi akademik dhe administrative: 3 muaj;

Disiplinat kryesore akademike : inovacioni, inxhinieria elektrike dhe kompjuterike, inxhinieria financiare dhe shkencat mjedisore

Link: http://www.mrtc.mdh.se/euroweb/index.php

SIGMA – Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Elbasanit, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti Europian i Tiranës;

Kohëzgjatje e shkëmbimit:

  • Bachelor : 5 deri në 10 muaj;
  • Master : 5 deri në 22 muaj;
  • PhD : 5 deri në 34 muaj;
  • Postdoc: 6 muaj;
  • Stafi akademik dhe administrative:  1 muaj;

Disiplinat kryesore akademike : shkencat bujqësore, arkitektura dhe planifikimi hapësinor, art dhe dizajn, biznes dhe menaxhim, gjeologji dhe gjeografi, shkenca humane, gjuhësi, drejtësi, informatike dhe matematike, shkenca natyrore, shkenca shoqërore, shkenca komunikimi dhe TIK

Link: https://portal.uw.edu.pl/web/sigma/about-sigma

Kushtet bazë të aplikimit:

– studenti duhet të jetë i regjistruar  pranë një universiteti shqiptar në momentin e aplikimit;

– studenti duhet të kthehet dhe diplomohet  pranë  universitetit shqiptar pas kryerjes së periudhës së shkëmbimit;

-studenti nuk duhet të ketë ndjekur studimet apo punuar për një periudhë 12 mujore gjatë 5 viteve të fundit në një nga shtetet e BE-së;

-për shkëmbimet akademike në nivelin bachelor, lejohen të aplikojnë vetëm studentët e universiteteve shqiptare partnere brenda secilit program (shih më sipër).

-për shkëmbimet akademike në nivelin Master, PHD, Post-doc lejohen të aplikojnë në kategorinë T2 edhe studentët e universiteteve shqiptare që nuk janë partnere brenda secilit program. Kushti i vetëm është që studenti të jetë i regjistruar në këto nivele pranë një universiteti shqiptar në momentin e aplikimit

– Aplikantët duhet të kenë mbaruar të paktën 1 vit të plotë akademik (60 ECTS) në momentin e aplikimit në Bachelor,

– Aplikantët duhet të kenë njohjen dhe mbrojtjen e gjuhës së universitetit ku do të kryhet shkëmbimi. Provimi dhe niveli i kërkuar ndryshojnë sipas universitetit pritës.

* Aplikimet për këtë komponent, përgjithësisht  qëndrojnë të hapura gjatë periudhës Nëntor-Mars të çdo viti.

 

KEY ACTION 2  “BASHKËPUNIMI PËR INOVACIONIN DHE SHKËMBIMIN E PRAKTIKAVE TË MIRA, TË PROGRAMIT ERASMUS +”

KA 2 KOMPONENTI I MOBILITETEVE NË KUADËR TË PROJEKTEVE “RRITJA E KAPACITETEVE NË ARSIMIN E LARTË”

Projektet për ‘Rritjen e kapaciteteve”  përmbajnë  edhe një komponent shkëmbimesh për Shqipërinë.

Nëse universiteti juaj ka fituar një projekt për “Rritjen e kapaciteteve” që përmban komponent shkëmbimesh, studentëve dhe stafit ju lind e drejta për:

-shkëmbime nga 3-12 muaj për çdo cikël studimi për studentët;

-praktika profesionale në kompani dhe biznese nga 2-12 muaj (duke filluar nga viti 2016) për studentët.

-shkëmbime nga 5 ditë deri në 2 muaj për stafet akademike dhe administrative.

Këto shkëmbime kryhen në përputhje me rregullat e shpjeguara më sipër për  KA1 “International credit mobilit”;