Zyra Kombëtare Erasmus+ në bashkëpunim me ekspertët Erasmus+ për reformat e arsimit të lartë (HERE) zhvilloi më datë 20 Nëntor 2015, në ambientet e Universitetit “Fan Noli” të Korçës, seminarin kombëtar me temë “Financimi i institucioneve të arsimit të lartë në kuadër të ligjit të ri të arsimit të lartë”.
Ky aktivitet mblodhi së bashku anëtarët e stafeve akademike nga IAL-të e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, anëtarë të Komisionit Kombëtar për Reformën e Arsimit të Lartë, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Gjatë seminarit, lektorët e ftuar trajtuan dhe diskutuan çështje të ndryshme të menaxhimit financiar të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, duke përfshirë skemën aktuale të financimit dhe skemën e financimit të parashikuar nga ligjit i ri i Arsimit të Lartë. Në vijim, Prof. Enora Pruvot i njohu të pranishmit me skemat e financimit bazuar në performancë dhe modele të suksesshme të zbatimit të tyre në vende të ndryshme. Në mbyllje, përfundimet e seminarit u mblodhën në një dokument të përbashkët që do t’i përcillet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe institucioneve shtetërore përkatëse.