Programi Erasmus + i ofron çdo studenti shqiptar mundësinë e ndjekjes me bursë të një programi të plotë Masteri dhe Doktorature si dhe financimin e shkëmbimeve akademike afatshkurtra në një mori universitetesh evropiane.
Një student shqiptar mund të aplikojë për:
Master dhe Doktoratë e plotë (Action 1)
Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të fituar të drejtën e ndjekjes me bursë të një Masteri apo Doktorate të plotë nëpërmjet – Programeve të përbashkëta Erasmus Mundus (EM). Këto programe masterash dhe doktoraturash quhen të përbashkëta pasi ofrohen nga një grup universitetesh të bashkuar në formë “konsorciumi” apo “partnerësh” dhe që mundësojnë fituesit të zhvillojnë programin e tyre të studimit në dy apo më shumë universitete Evropiane.
Për listën e plotë të Erasmus Mundus Action 1, referohuni lidhjeve të mëposhtme:
Për listën e plotë të Masterave të përbashkët
Për listën e plotë të Doktoratave të përbashkëta:
* Aplikimet për këtë komponent janë aktualisht të mbyllura, por do të rihapen në Tetor 2015. Përgjithësisht, ato qëndrojnë të hapura gjatë periudhës Tetor- Dhjetor të çdo viti.
Hapat e aplikimit/sugjerime për një aplikim të suksesshëm:
-Identifikoni brenda listës së programeve që ju ofrohen, ato programeve që ju përshtaten më shumë nga pikëpamja akademike
-Hulumtoni webistin e programit/eve që keni zgjedhur. Aplikimi juaj do të bëhet drejtpërdrejtë tek programi i zgjedhur, (përgjithësisht) nëpërmjet websitit të tij.
-Shikoni me vëmendje udhëzimet për aplikimin në program. Sigurohuni që i keni kuptuar të gjithë hapat dhe kërkesat e tij, veçanërisht dokumentet e kërkuara për dosjen e aplikimit.
-Mbani në vëmendje afatin e fundit të aplikimit, duhet ta dërgoni aplikimin para përfundimit të tij.
-Eshtë e këshillueshme të filloni herët, duke qenë se ju do duhet t’i bashkëngjisni aplikimit tuaj edhe një sërë dokumentesh të tjerë. Dokumentet që kërkohen, (kryesisht) përfshijnë : Një letër motivimi; dy letra rekomandimi; diplomën dhe listës e notave; dëshminë e gjuhës angleze të mbrojtur me IELTS ose TOEFL. Gjithsesi, në faqen e internetit të masterit ose PHD do të merrni një informacion akoma më specifik dhe për provime të tjera të gjuhës angleze që pranohen për aplikimin, numrin e pikëve të kërkuara, situatat kur studimet e mëparshme janë kryer në këtë gjuhë etj.)
-Siguroheni që dokumentet e kërkuara të kenë përkthimin në Anglisht (në rast se nuk parashikohet ndryshe).
-Bëjeni aplikimin direkt online sipas kërkesave të programit.
Një student shqiptar mund të aplikojë edhe për periudha të shkurtra studimi në:
Programet e shkëmbimeve afatshkurtra ( Partneritetet EM) (Action 2)
Programi Erasmus Mundus i ofron çdo studenti, pedagogu apo të punësuari në Institucionet e Arsimit të Lartë mundësinë e shkëmbimeve akademike afatshkurtra në një mori universitetesh evropiane. Aktualisht kjo mundësi përfitohet duke aplikuar në katër partneritetet Erasmus Mundus, për periudhën përkatëse të shkëmbimit.
TECH-WB- Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Fan Noli” Korçë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.
Kohëzgjatje e shkëmbimit:
- Bachelor : 1 semestër deri në 1 vit akademik;
- Master : 1 semestër deri në 2 vite akademikë;
- PhD : 6 muaj deri në 34 muaj;
- Postdoc : 6 muaj deri në 10 muaj;
- Staf administrativ 1 muaj;
Disiplinat kryesore akademike në TECH-WB: TIK, inxhinieria dhe energjetika, mbrojtja e mjedisit, bujqësia, minierat, drejtësia, administrim biznesi, administrimi publik, marrëdhënie ndërkombëtare, turizmi dhe trashëgimia kulturore, gjuhët e huaja)
Link: http://green-tech-wb.uvigo.es/
SUNBEAM– Partnerët Shqiptarë: Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Elbasanit.
Kohëzgjatje e shkëmbimit:
- Bachelor : 1 semestër deri në 10 muaj;
- Master : 1 semestër deri në 2 vite akademikë;
- PhD : 6 deri në 36 muaj;
- Postdoc : 6 deri në 10 muaj;
- Stafi akademik dhe administrativ: 1-3 muaj;
Disiplinat kryesore akademike : shkencat bujqësore, arkitektura dhe planifikimi hapësinor, art dhe dizajn, biznes dhe menaxhim, gjeologji dhe gjeografi, shkenca humane, gjuhësi, drejtësi, informatike dhe matematike, shkenca natyrore, shkenca shoqërore, TIK
Link: http://www.sunbeam.univpm.it/
EUROWEB – Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.
Kohëzgjatje e shkëmbimit:
- Bachelor : 10 muaj;
- Master : 10 ose 20 muaj;
- PhD : 18 deri në 34 muaj;
- Postdoc: 10 muaj;
- Stafi akademik dhe administrative: 3 muaj;
Disiplinat kryesore akademike : inovacioni, inxhinieria elektrike dhe kompjuterike, inxhinieria financiare dhe shkencat mjedisore
Link: http://www.mrtc.mdh.se/euroweb/index.php
SIGMA – Partnerët Shqiptarë: Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Elbasanit, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti Europian i Tiranës;
Kohëzgjatje e shkëmbimit:
- Bachelor : 5 deri në 10 muaj;
- Master : 5 deri në 22 muaj;
- PhD : 5 deri në 34 muaj;
- Postdoc: 6 muaj;
- Stafi akademik dhe administrative: 1 muaj;
Disiplinat kryesore akademike : shkencat bujqësore, arkitektura dhe planifikimi hapësinor, art dhe dizajn, biznes dhe menaxhim, gjeologji dhe gjeografi, shkenca humane, gjuhësi, drejtësi, informatike dhe matematike, shkenca natyrore, shkenca shoqërore, shkenca komunikimi dhe TIK
Link: https://portal.uw.edu.pl/web/sigma/about-sigma
Kushtet bazë të aplikimit:
– studenti duhet të jetë i regjistruar pranë një universiteti shqiptar në momentin e aplikimit;
– studenti duhet të kthehet dhe diplomohet pranë universitetit shqiptar pas kryerjes së periudhës së shkëmbimit;
-studenti nuk duhet të ketë ndjekur studimet apo punuar për një periudhë 12 mujore gjatë 5 viteve të fundit në një nga shtetet e BE-së;
-për shkëmbimet akademike në nivelin bachelor, lejohen të aplikojnë vetëm studentët e universiteteve shqiptare partnere brenda secilit program (shih më sipër).
-për shkëmbimet akademike në nivelin Master, PHD, Post-doc lejohen të aplikojnë në kategorinë T2 edhe studentët e universiteteve shqiptare që nuk janë partnere brenda secilit program. Kushti i vetëm është që studenti të jetë i regjistruar në këto nivele pranë një universiteti shqiptar në momentin e aplikimit
– Aplikantët duhet të kenë mbaruar të paktën 1 vit të plotë akademik (60 ECT) në momentin e aplikimit,
– Aplikantët duhet të kenë njohjen dhe mbrojtjen e gjuhës së universitetit ku do të kryhet shkëmbimi. Provimi dhe niveli i kërkuar ndryshojnë sipas universitetit pritës.
* Aplikimet për këtë komponent janë aktualisht të mbyllura, por do të rihapen në Nëntor 2015. Përgjithësisht ato qëndrojnë të hapura gjatë periudhës Nëntor-Mars të çdo viti.
Mundësi të tjera.
Erasmus + krijon dy mundësi të reja për studentët dhe stafet universitare shqiptare nëpërmjet projekteve institucionale:
- Shkëmbimet afatshkurtra për stafet dhe studentët (Credit Mobility)
Ky komponent mundëson financimin e shkëmbimeve për:
- Studentët: 3 deri në 12 muaj;
- Praktika profesionale: 2 deri në 12 muaj;
- Stafin akademik dhe administrativ: 5 ditë deri në 2 muaj.
Që shkëmbimet të jenë aktive për këtë komponent duhet që universitetet shqiptare të lidhin marrëveshje ndërinstitucionale me universitet nga vendet e Programit që kanë ende buxhet të mbetur nga raundi i parë i aplikimeve, si vijon: Francë, Mbretëri e Bashkuar, Spanjë, Gjermani, Belgjikë, Suedi, Portugali, Irlandë, Danimarkë, Austri.
Hapi i parë: Universiteti shqiptar zgjedh partnerin me të cilin do të kryejë shkëmbimet;
Hapi i dytë: Negociohen shkëmbimet: numri i studentëve dhe i stafit, njohja e periudhës së studimit, etj.
Hapi i tretë: Universiteti evropian bën aplikimin pranë Agjencisë Kombëtare në emër të universitetit shqiptar.
Për më tepër: http://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/discover/guide/documents-applicants_en.htm
- Komponentit special për shkëmbime në kuadër të projekteve “Rritja e kapaciteteve në Arsimin e Lartë” ose ish-projektet Tempus.
Kur universitetet shqiptare përgatisin dhe aplikojnë në projekte për rritjen e kapaciteteve, ata mund të përfshijnë edhe një komponent shkëmbimesh që mbulohet financiarisht nga projekti për:
- Studentët: 3 deri në 12 muaj;
- Praktika profesionale: 2 deri në 12 muaj;
- Stafin akademik dhe administrativ: 5 ditë deri në 2 muaj.